Friday, February 6, 2009

Autostradat e Detit

Transporti detar, prej kohësh është cilësuar si një aktivitet përcaktues i zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. Në ditët e sotme për efekt të globalizimit dhe të transferimit të kapitaleve dhe mallrave, bota gjithnjë e më shumë po merr pamjen e një qendre të madhe tregtare pa kufi, në të cilën për shkak të liberalizimit të tregtisë ndërkombëtare dhe të decentralizimit të prodhimit, vazhdon të regjistrohet një rritje e trafikut botëror të mallrave dhe personave e së bashku me to, një rritje e kërkesës së shërbimeve të transportit detar që si rrjedhojë kërkon zgjedhjet e duhura dhe kurajo nga ana e Qeverive.
I njëjti zhvillim ekonomik i zonës europiane dhe mesdheut, që sipas Komunitetit Europian do të sjellë brenda vitit 2010, një dyfishim të kërkesës aktuale në lidhje me transportin detar nga shtetet anëtare, vendos një detyrim të fortë për zhvillimin e politikës së sektorit detar.
Në këtë aspekt, vendet mesdhetare, duke konsideruar faktin që tashmë jashtë çdo dyshimi, transporti në rrugë detare paraqitet si më konkuruesi në treg, në termat e reduktimit të kostove të energjisë, mbrojtjes mjedisore dhe të volumeve për investimet e kërkuara, janë impenjuar në rishikimin e politikave të tyre për zhvillimin e transportit detar. Në këtë menyrë i jepet mbështetje strategjisë së re të përcaktuar nga Komisioni Europian, për konkurencën që Komuniteti Europian duhet të përballojë në sektorin detar në nivel ndërkombëtar.
Zgjerimi i Komunitetit Europian me vendet e reja anëtare ka krijuar momentin e një lëvizje të rëndësishme në kontekstin ndërkombetar politiko-ekonomik, duke hapur në këtë mënyrë prespektiva të reja zhvillimi. Diskutimi i hapur tashmë nga Institucionet Komunitare mbi zgjerimin e mëtejshëm, veçanërisht në drejtim të vendeve të zonës së mesdheut, siç dëgjohet sot të flitet në Bruksel, nënvizon dhe një herë rolin kyç që do të kenë në një të ardhme të afërt, vendet e zonës së mesdheut ku bën pjesë dhe Shqipëria.
Në sektorin e infrastrukturës dhe transportit, për të cilin Komisioni Europian në Shtator 2001, ka dedikuar një libër të bardhë, kërkesa e parë që paraqitet është përcaktimi i planeve dhe strategjive të investimit në infrastrukturën që do të garantojë interkonesionin ndërmjet partnerëve mesdhetare me rrjetet trans-europiane. Në fushën e programit rajonal MEDA, po përgatitet interkonesioni i infrastrukturës dhe harmonizimi normativ në fushën e transporteve, energjisë dhe telekomunikacioneve, të quajtur ndryshe (Rrjete trans-mesdhetare), financimi i të cilave do të realizohet me kreditimin e Institucioneve Ndërkombëtare dhe Bankës Europiane për Investime (BEI).
Trafiku detar paraqet një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendeve të Mesdheut. Pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme të këtyre vendeve realizohet me anë të rrugëve detare dhe në terma volumi, transporti detar është dominues në shkëmbimin e mallrave ndërmjet zonës së mesdheut dhe Komunitetit Europian (rreth 74% te volumit të përgjithshëm të mallarave ndërmjet këtyre vendeve transportohet me rrugë detare).
Zhvillimi i transportit detar të mallrave duhet të jetë i privilegjuar në krijimin e “autostradave te detit”, që lidhin portet kryesore të mesdheut. Veçanërisht të rëndësishme në zonën e Mesdheut janë, transportet detare me distanca te shkurtra, për shkak të afërsive gjeografike dhe infrastrukturës rrugore të varfër që ekziston në shumë nga këto vende.
Bashkimi Europian gjykon se trasnporti detar me distanca te shkurtra “short sea shipping”, si transport detar intermodal, paraqitet si alternativë e nevojshme për zhvillimin e rajonit të mesdheut. Libri i bardhë i vitit 2001, mbi transportet parashikon që brenda 2010, do të kemi rreth 39% të kërkesës për transportin e brendshëm dhe vetëm transporti hekurudhor e detar mund t’i bëjnë ballë kësaj rritje të kërkesës. Duke pasur parsysh faktin, se në vendet mesdhetare hekurudha përballet me vështirësi nga ana infrastrukturës së saj, e vetmja zgjidhje mbetet transporti detar, i cili mund të ofrojë garanci reale në këtë drejtim, për të përmbushur me sukses rritjen e kërkesës mbi trasnferimin e mallrave.
Shërbimet e Transportit detar me distanca të shkurtra, janë ndër të tjera një element integrues i zinxhirit të transportit multimodal (transport rrugor – transport detar dhe transport hekurudhor – transport detar). Duhet gjithashtu të zhvillohet një sistem multimodal për transportin ajror – detar, i cili mund të plotësohet nga lidhjet me rrjetin rrugor duke kontribuar në zhvillimin e shkëmbimeve ndërmjet vendeve jugore të zonës së Mesdheut. Sipas këtij profili një funksion i rëndësishëm i përket lidhjeve që duhet të krijohen midis porteve dhe aeroporteve dhe interlandit (hapësirës së brendshme) të tyre.
Në ditët e sotme të gjithë vendet e Bashkimit Europian, kanë krijuar një zyrë për promovimin e transportit detar në distanca të shkurtra, pasi janë të bindur që një zyrë e tillë përfaqësuese e porteve, armatorëve dhe subjekteve të tjera të fushës, garanton zhvillimin e këtij modaliteti. Ky shembull në një të ardhme të shpejtë, do të ndiqet nga të gjitha vendet mesdhetare duke krijuar në këtë mënyrë një network (rrjet) midis tyre, për të garantuar përfaqësimin dinjitoz të operatorëve të fushës në tregun ndërkombëtar të lëvizjes së mallrave.
Në të vërtetë, trasnporti detar me distanca te shkurtra dhe “autostradat e detit”, nuk duhet të konsiderohen si projekt kundër transportit rrugor, pasi ato e mbështesin atë, duke qenë pjesë e po të njëjtit sistem dhe duke u paraqitur si portat e korridoreve të transportit rrugor. Një shemull i tillë në vendin tonë, në implementim e poltikave për zhvillimin e transportit multimodal (transport rrugor – transport detar), konsiderohet ndërtimi i rrugës Durrës – Kukës dhe investimet paralele që po realizohen në Portin e Durrësit, i cili do të funksionojë si porta kryesore e këtij segmenti rrugor për lidhjen me vendet e Komunitetit Europian me anë të linjave detare.
Shumë korridore euriopiane, mbërrijnë në porte mesdhetare dhe nga këto të fundit mallrat vazhdojnë udhëtimin e tyre nëpërmjet rrugëve detare. Është e sigurtë se në të ardhmen, transportet detare euromesdhetare, do të jenë në zgjerim të vazhdueshëm, si për faktin e rritjes normale të tyre po ashtu dhe me qëllim rekuperimin e trafikut detar që më parë zhvillohej ndërmjet porteve të Europës veriore. Zona e shkëmbimeve të lira e parashikuar nga partneriteti euro - mesdhetar, do të sjellë një rritje të tregtisë dhe si rrjedhojë të transporteve në zonën e Mesdheut. Një projekt i tillë do të mundësohet dhe me ndihmën e Bashkimit Europian me anë të programeve të financimit e marrëveshjeve bilaterale.
Libri jeshil mbi “Politikat e Detit”, i publikuar nga Komuniteti Europian ka iniciuar tashmë një debat për politikat detare komunitare, të cilat me siguri apsolute do të ndërgjegjësojnë qytetarët europian mbi pasurinë e tyre detare, mbi potencialitetin që kjo e fundit ofron në aspektin e një mirëqenie më të madhe në jetën e tyre, si dhe mbi prespektivat komplekse të aktiviteteve ekonomike të lidhura me detin.
Për këtë qëllim Qeveria Shqiptare, duhet të mbështesë obiektivat strategjike të përcaktuara për vitin 2009, nga Komisioni Europian për një politikë detare globale, me qëllim zhvillimin në harmoni nga ana ekologjike, të një ekonomie detare të fokusuar veçanërisht në risitë teknologjike dhe logjistike në fushën e detarisë.
E ardhmja e kontinentit të vjetër europian, do të fokusohet në transpozimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, me një kualitet superior, të krahasuara me ato të ofruara nga vendet e tjera. Për të realizuar një gjë të tillë, paraqitet e nevojshme garantimi i një “transporti detar të sigurtë”, jo vetëm në aspektin e sigurisë teknike të lundrimit “Safety”, por gjithashtu duke pasur parasysh momentin historik që bota perëndimore po përjeton, një rol të rëndësishëm zë siguria detare në konceptin e “Security”, për parandalimin e akteve terroriste dhe piraterisë që së fundmi është bërë lajmi i ditës për udhëtimet detare në zona të caktuara gjeografike.
Mbi bazën e këtyre skenarëve të ardhshëm që paraqiten, është e domosdoshme ndërmarrja e iniciativave të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim zhvillimin e dialogut për transportet detare midis vendeve të Mesdheut dhe midis vendeve ndërkufitare, për garantimin e një sistemi trafiku të sigurtë, ku siguria detare duhet të nënkuptohet në një koncept më të gjerë, duke përfshirë se bashku “Safety” dhe “Security”.
Në lidhje me transportin detar shqiptar, vitet e fundit vendi ynë ka arritur standarde cilësie në termat e sigurisë detare, sidomos në konceptin e “Security”. Në këtë drejtim Shqipëria synon të vazhdojë të mbështesë iniciativat e Organizatës Ndërkombëtare Detare I.M.O, ku bëjmë pjesë tashmë si vend anëtar që prej vitit 1993, duke adoptuar të gjitha masat e nevojshme që bëjnë të mundur garantimin e sigurisë detare, jo vetëm për anijet që mbajnë flamurin shqiptar, po gjithashtu për facilitetet portuale të vendit tonë që janë në shërbim të transporteve ndërkombëtare detare. Politika e ndjekur nga Qeveria shqiptare në drejtim të transportit do të mundësojë zhvillimin paralel të vendit tonë me vendet e tjera të Mesdheut, për të qenë pjesë e programit rajonal MEDA, qëllimi i të cilit fokusohet në adoptimin e strategjive të përbashkëta, midis vendeve të rajonit mesdhetar, të destinuara në reformimin dhe ristrukturimin e strukturave ekonomike dhe sociale në mënyrë të tillë që efektet e pritshme nga zhvillimi ekonomik të përmbushen me sukses.


Autori: Av. Dorian Mersini