Monday, December 29, 2008

Portet shqiptare nën Kodin ISPS

Zbatimi i standardeve të sigurisë në portet dhe anijet shqiptare

Pas atentatit të kullave binjake më 11 shtator 2001, siguria detare për anijet dhe portet me qëllim parandalimin e akteve terroriste, ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm.
Organizata Detare Ndërkombëtare (IMO), ku Shqipëria ka aderuar në vitin 1993, ka zhvilluar një sistem sigurie të aplikuar për anijet dhe portet ndërkombëtare. Konferenca Diplomatike që u mbajt me datë 09 – 13 Dhjetor 2002, në Londër në selinë kryesore të IMO-s, vendosi një regjim sigurie në fushën e transportit detar, që do të aplikohej më pas nga të gjithë shtetet anëtare që kanë ratifikuar Konventën e SOLAS-it, me hyrjen në fuqi më 1 janar 2004 të Kodit Ndërkombëtar për Sigurinë në Anije dhe Porte (ISPS – International Ship & Port Security), si pjesë e kësaj Konvente.
Në vendin tonë, në zbatim të Kodit ISPS dhe me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 9281, datë 23.09.2004 “Për sigurinë në porte dhe anije”, është implementuar një regjim sigurie për mbrojtjen e sistemit të transportit detar nga aktet terroriste. Të gjitha portet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë janë pajisur me Planin e Sigurisë së Portit (PSP)”, i cili miratohet nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. PSP-ja hartohet për të garantuar zbatimin e masave që synojnë mbrojtjen dhe sigurinë e territorit portual, të anijeve, mjeteve të transportit dhe të ngarkesave. Gjithashtu, të gjitha anijet 500 gross/ton e sipër, të cilat kryejnë transport ndërkombëtar mallrash dhe personash, janë të pajisur me një Plan Sigurie, i përgatitur në bazë të karakteristikave të anijes dhe të porteve që kjo e fundit do të prekë.
Nën këtë regjim, bazuar në Vendim e Këshillit të Ministrave Nr. 115, datë 25.02.2005, është krijuar Autoritetit Shtetëror i Sigurisë për Portet dhe Anijet, në Drejtorinë e Politikave të Transportit Detar, pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Autoriteti Shtetëror i Sigurisë ka përgjegjësi për koordinimin dhe monitorimin e forcave të sigurisë portuale (FSP) që brenda datës 01 Janar 2008 do të jenë të pranishme në portet ndërkombëtare shqiptare, (porti Vlorës, Shëngjinit, Sarandës), ndërkohë që në portin e Durrësit kjo forcë vepron nga viti 2006.
Forca e Sigurisë Portuale (FSP) ka si mision, krijimin e një ambienti të sigurtë për portin dhe operatorët e ndryshëm portual. Një gjë e tillë realizohet, duke bërë kontrolle të rrepta në hyrjet e portit, duke patrulluar në mënyrë të vazhdueshme territorin portual dhe duke ushtruar kontrolle në det me anë të pajisjeve moderne të teknologjisë, si sistemi i identifikimit automatik të anijeve (AIS). Ndër të tjera, kjo Forcë synon të garantojë mbrojtjen e sigurisë së portit, anijeve, pasagjerëve, anëtarëve të ekuipazheve dhe të gjithë personelit tokësor nga aktet terroriste dhe ilegale, për të plotësuar me efikasitet detyrimet e vendosura nga Kodi ISPS dhe legjislacioni kombëtar për sigurinë në porte dhe anije.
Për parandalimin me sukses të akteve terroriste dhe rritjen e standardeve ndërkombëtare në fushën e Transportit Detar është e domosdoshme zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse të angazhuara për sigurinë në porte dhe anije. Megjithatë, vlen të përmendet se, për shmangien e incidente ose kërcënimeve detare që vijnë nga aktet terroriste, duhet një angazhim jo vetëm në nivel kombëtar, por gjithashtu në nivel ndërkombëtar, duke përmirësuar format e bashkëpunimit ndërmjet qeverive kontraktuese, agjencive qeveritare, administratave lokale, administratave portuale dhe kompanive manaxhuese të anijeve për të ndërmarrë masa paraprake sigurie në porte dhe anije me qëllim zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare.
Kodi Ndërkombëtar për Sigurinë në Porte dhe Anije (ISPS Code), është një iniciativë e rëndësishme që Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) ka ndërmarrë për të krijuar një sistem standard sigurie për të gjithë portet ndërkombëtare të 148 shteteve anëtare të organizatës.
Megjithëse vendi ynë prej vitit 2004, ka filluar zbatimin e standardeve të Kodit ISPS, Portet e Republikës së Shqipërisë janë ende në fazat fillestare të implementimit të këtij regjimi sigurie, por brenda një kohe të shkurtër duke filluar me Portin e Durrësit, i cili konsiderohet si projekti pilot në zbatimin e normave ndërkombëtare të sigurisë, do të arrihet një nivel sigurie në konformitet të plotë me standardet e përcaktuara në Kodin ISPS dhe ligjin nr. 9281, datë 23.09.2004 “Për sigurinë në porte dhe anije”.

Investimet në vitet e fundit për rritjen e sigurisë në porte



Vitet e fundit është bërë një punë shumë e madhe për rritjen e standardeve të sigurisë në portet shqiptare, kjo gjë tregohet jo vetëm me plotësimin e kuadrit ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar mbi normativën e sigurisë portuale, por gjithashtu dhe me rezultatin e vizitës së Rojës Bregdetare Amerikane në periudhën gusht 2007, ku portet shqiptare u paraqitën në nivel të pranueshëm sigurie, konsideruar faktin që një regjim i tillë ka pak kohë që po implementohet.
Për sa i përket investimeve që janë bërë për zhvillimin e sigurisë portuale, vlen të përmendet se Portet Shqiptare i kanë kushtuar prioritet të veçantë alokimit të fondeve në këtë drejtim. Porti i Durrësit, si porti kryesor i vendit, i cili konsiderohet gjithashtu si projekti pilot në implementimin e standardeve të sigurisë, ka ngritur tashmë prej rreth një viti e gjysmë Forcën e Sigurisë Portuale, duke e pajisur atë me zyra të veçanta, me automjete dhe teknologji moderne për shërbimin e patrullimit, me uniforma dhe armatim përkatës.
Në Portin e Durrësit, për periudhën 2007- 2008, janë planifikuar një sërë investimesh në këtë drejtim. Është parashikuar vendosja e sistemit të monitorimit me kamera përgjatë të gjithë perimetrit rrethues të portit me një vlerë prej rreth 1.5 milion euro, janë parashikuar të bëhen investime me një vlerë prej 10 milion lekë, për blerjen e zyrave të lëvizshme (mobile office) për forcën e sigurisë portuale (FSP), është përcaktuar një investim prej 40 milion lekë, për blerjen e një skafi për forcën e sigurisë, me anë të të cilit do të realizohet patrullimi në det për parandalimin e akteve terroriste në anije, etj.
Me krijimin e forcave të sigurisë në portet e Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës, brenda datës 1 Janar 2008, investimet do të vijojnë edhe për këto porte në të njëjtin drejtim, në mënyrë që brenda një afati të shkurtër kohor portet e Republikës së Shqipërisë të çertifikohen e të shpallen në Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO), si porte ndërkombëtare të sigurtë dhe në konformitet të plotë me Kodin ISPS, duke krijuar lehtësi dhe siguri për të gjithë operatorët e porteve shqiptare.


Autori: Av. Dorian Mersini

No comments:

Post a Comment