Monday, December 29, 2008

Leter Kredia

Krediti i dokumentuar është praktika nëpërmjet të cilës Banka (banka nënshkruese), me kërkesë të një importuesi (porositësi), detyrohet të paguajë shitësin (përfituesin) pasi të jetë verifikuar që dokumentat e prezantuara (brenda një kohe të parapërcaktuar) janë në konformitet të plote me cfarë është përcaktuar në udhëzimet e dhëna nga Shitësi.
Banka mund të ndërmarrë një impenjim të revokueshëm ose të pa revokueshëm. Në rastin e parë Banka nënshkruese ka të drejtën të anullojë kreditin në çdo moment. Për këtë motiv, sipas normave të praktikes kërkohet nënshkrimi i letër kredive të revokueshme.
Letër kredia është një operacion i ndryshëm dhe indipendent nga kontrata e shitjes. Banka nënshkruese në praktikë është e detyruar të paguajë edhe pse Porositësi kundërshton duke paralajmëruar bankën për zgjidhjen e kontratës së shitjes.
Në raport me letër kredinë marrin pjesë të paktën tre subjekte:

a. Porositësi (Importuesi/Blerësi)
b. Banka nënshkruese (banka nëpërmjet të cilës Importuesi dërgon mandatin)
c. Përfituesi (Eksportuesi/Shitësi)
Si rregull në praktikë, Banka nënshkruese angazhon edhe një subjekt të katërt, që mund të ndërmarrë rolin e;

a. Bankës lajmëruese ose njoftuese
b. Bankës së përcaktuar
c. Bankës konfirmuese
Banka nënshkruese çel letër kredinë sipas instruksioneve të porositësit, dhe ndërmerr një angazhim indipendent, përderisa detyrohet të kryejë pagesën pasi të jenë prezantuar dokumentat formalisht të rregullta, banka është e detyruar të respektojë impenjimin e saj në rast se dokumentat e prezantuara janë formalisht konform kërkesave.

Banka konfirmuese, është banka e autorizuar të kryejë shërbimin e kërkuar duke shtuar konfirmimin e saj, ose duke ndërmarrë impenjimin e parevokueshëm për të kryer pagesën në favor të përfituesit.

Të gjitha letër kreditë duhet të përmbajnë treguesin që pagesa është në favor të përfituesit e cila mund të jetë:

-Pagesë direkte.
-Pagesë e ndarë në periudha: skadenca mund të përkojë me përcaktimin e një date ose të një ngjarjeje.
-Pranimin nga Banka nënshkruese ose konfirmuese.

Fusha e letër kredisë është e disiplinuar nga UCP-ja (Uniform Customs and Practice) Publikimi nr. 500, botimi 1993, i Dhomës së Tregtisë Ndërkombëtare të Parisit (hyrë në fuqi në 1 janar 1994) dhe botimi i fundit nr. 600, që do të hyjë në fuqi me 1 korrik 2007.
Disa Shtete i konsiderojnë UCP-të si linja drejtimi për praktikat bankare, shtete të tjera i kosiderojnë si mjete për interpretimin e ligjit dhe për krijimin e legjislacionit në fushën e letër kredisë.

Përgjegjësitë e bankës nënshkruese dhe konfimuese.

a. Është e detyruar të kryejë pagesën pasi të jenë verifikuar që dokumentat “janë në konformitet me afatet dhe kushtet e kredisë”.

b. Nuk është përgjegjëse për mos kryerjen e detyrave, kur këto të fundit kanë lidhje me rastet e forcës madhore (si p.sh. luftrat, përmbytjet, tërmetet, grevat), (neni. 7 UCP 500).

c. Është e përjashtuar nga përgjegjësitë në rastet e pavlefshmërisë së dokumentave të prezantuara nga përfituesi, kur këto të fundit janë formalisht të rregullta.

d. Nuk është përgjegjëse për vonesa, humbje, gabime në dorëzimin e dokumentacionit ose përkthimit dhe interpretimit të gabuar të termave teknike në to të përdorura (neni. 16 UCP 500).

Në ekzaminimin e dokumentave, Banka është e detyruar që të ndjekë parimet e mëposhtme:

a. Neni 13 UCP: në rast se kemi të bëjmë me mospërputhje të dokumentave që paraqiten, këto të fundit nuk mund të konsiderohen konform me termat dhe kushtet e letër kredisë.

b. Në rast se kemi të bëjmë me dokumenta që nuk janë të përfshira në letër kredinë, këto nuk do të ekzaminohen nga bankat.

c. Neni. 22 UCP: Bankat janë të detyruara të shqyrtojnë që dokumentat të paraqesin një datë nënshkrimi paraprake nga data e nënshkrimit të letër kredisë.

d. Neni 20 UCP: në rast se letër kredia kërkon që dokumentat të jenë autentike, të vlefshme, të çertifikuara ose të pranuara, bankat shqyrtojnë vetëm ato dokumenta që në aparencë plotësojnë atë çfarë kërkohet nga letër kredia.

Pasi të jenë shqyrtuar dokumentat, banka duhet të analizojë nëse këto janë të rregullta ose jo:

- Në rastin e parë banka kryen pagesën.
- Në rastin e dytë, banka kundërshton kryerjen e pagesës dhe njofton Përfituesin duke i evidentuar të gjitha parregullsitë e konstatuara. Njoftmi për parregullsitë duhet të bëhet me mjetet më të shpejta të komunikimit dhe gjithnjë jo më vonë se dita e shtatë e punës bankare, nga momenti i dorëzimit të dokumentave të letër kredisë. Në rast vonese, banka humb të drejtën për të evidentuar parregullsitë e dokumentave dhe është e detyruar të kryejë pagesën edhe pse dokumentat e prezantuara nuk janë të rregullta.

Dokumentat e nevojshme për procedurën e letër kredisë mund të jenë:

a. dokumenta transporti
b. dokumenta siguracioni
c. fatura tregtare
d. çertifikata sasie dhe cilësie
e. packing lists
f. dokumenta doganore

Një rëndësi të veçantë ka policë ngarkesa (B/L) (e disiplinuar nga neni. 23 UCP 500)

Ajo duhet të përmbajë:

- Emrin e transportuesit (carrier) dhe firmën e tij, e ndjekur nga nënshkrimi as carrier, ose atë të kapitenit të anijes me nënshkrimin as master.
- Klauzola on board, që evidenton se malli është ngarkuar në bordin e një anije të caktuar.
- Portin e ngarkimit (port of loading) dhe portin e shkarkimit (port of discharge) që duhet të korrespondojnë me të dhënat e përcaktuara në letër kredinë.
- Numrin e dokumentave orgjinaleve.
- Të gjitha afatet dhe kushtet e transportit.

CASH AGAINST DOCUMENTS

Pagesa me paraqitje të dokumentave parashikon që Shitësi të dorëzojë në një bankë të vendit të tij (banka transmetuese) dokumentat që vërtetojnë spedicionin e mallit dhe ngarkon bankën e tij që t’ia transmetojë bankës së vendit të Blerësit (banka e prezantuar) vetëm pasi të jetë kryer pagesa e mallit.

Kjo formë pagese bazohet në faktin që këto dokumenta janë të nevojshme për Blerësin në mënyrë që të marrë në dorëzim mallin dhe një gjë të tiilë ai mund ta kryejë vetëm pasi të ketë paguar çmimin e tij.

Pagesa me paraqitjen e dokumentave është një mjet jo gjithmonë i sigurtë për të garantuar pagesën, për faktin se nuk është e rrallë që Blerësi, duke përdorur mjete të jashtëligjshme, arrinë të marrë në dorëzim mallin pa tërhequr dokumentat në bankë, do të thote pa kryer pagesën për çmimin e mallit.

Gjithashtu, Shitësi nuk është i garantuar që Blerësi t’i japë udhëzime bankës për të paguar mallin, ndërsa nëpërmjet letër kredisë ai garantohet mbi detyrimin e ndërmarrë në mënyrë indipendente nga banka nënshkruese ose konfirmuese.


Autori: Av. Dorian Mersini

No comments:

Post a Comment